image Neglizhenca e institucioneve në rastet e dhunës

Drejtësi

Neglizhenca e institucioneve në rastet e dhunës

news image

Dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre gjatë vitit të kaluar. Me qindra raste të tjera janë raportuar për dhunë në familje. Hallka e zinxhirit të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë po dështon në parandalimin e këtyre rasteve.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e grave dhe Avokati i Popullit fajësojnë institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në trajtimin e tyre, duke mos reaguar para se të përfundojnë me fatalitet.

Në mars të vitit të kaluar, Sebahate Sopi dyshohet se u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj. I njëjti më pas i mori jetën edhe vetës.

Disa muaj më pas, në gusht, Kosova u trondit nga një tjetër ngjarje. Në derën e Spitalit të Ferizajt u la trupi i pajetë i 18-vjeçares, Marigona Osmani. Ajo dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, 11 vjet më i vjetër, pasi nuk i përballoi dot keqtrajtimet që iu bënë dy ditë rresht. Pas dy ditësh në arrati, partneri i të ndjerës u prangos në një fshat të Ferizajt.

Përveç këtyre dy rasteve, gjatë vitit 2021 u shënua edhe një rast i vrasjes së një gruaje nga motra e saj.

“Si pasojë e dhunës në familje gjatë periudhës janar-nëntor 2021 kanë humbur jetën gjithsej tri gra. Policia e Kosovës rastet e dhunës në familje i trajton me seriozitet dhe prioritet të lartë ku në kuadër të Policisë së Kosovës janë ngritur sektor të veçantë me njësi të veçanta në kuadër të tyre punojnë policë hetues që kanë trajnime të përfunduara të niveleve të ndryshme”, deklaron kapiten Arsim Shala, i cili është shef i sektorit kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës.

Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se këto raste do të mund të parandaloheshin, nëse do të kishte reagim më të duhur institucional gjatë trajtimit të tyre kur gratë kanë kërkuar mbrojtje dhe mbështetje.

“Një grua e re e moshës 18-vjeçare, përfundoi me fatalitet për shkak se fatkeqësia e saj është se pati për partner një kriminel, i cili para se të takohej me të veç kishte qenë i njohur për të gjitha institucionet në Komunën e Ferizaj, për institucionet e mbrojtjes, policinë, Prokurorinë”.

“Kuptuam që ai kishte pasur mbi 100 vepra penale të shkaktuara. Dhe në qoftë se ai do të merrte një dënim paraprakisht në kohën kur i ka shkaktuar të gjitha këto vepra dhe ka pasur kërcënime për vrasje, vepra që do ta kishin mbajtur deri në pesë vjet në burg nëse legjislacioni do të funksiononte si duhet, dhe ndoshta e kishte parandaluar që ai të binte në kontakt me të ndjerën”, tregon ajo.

Dhunë institucionale e quan neglizhencën që po u bëhet këtyre rasteve, drejtoresha e organizatës për drejtësi dhe barazi Inject, Luljetë Aliu. Ajo thotë se përgjegjësia për këto tragjedi u takon institucioneve.

“Rastet që kanë përfunduar me fatalitet këtu unë shpeshherë e kam theksuar që një pjesë e madhe e përgjegjësisë iu bie institucioneve. Dhuna institucionale që ka qenë edhe një term që e kemi diskutuar shumë në vitin 2018, kur kemi organizuar protestat për shkak të rastit të Valbonës, ka qenë një përpjekje për të ngritur vetëdijen e institucioneve. Se çfarë ndodhë me neglizhencën, me vonesat në gjykata, është dhunë institucionale. Është shkelje e të drejtave të njeriut kur institucioni nuk i kryen detyrat e tij siç duhet dhe çalon në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që ju takojnë me ligj, kjo është dhunë që institucioni i bën qytetarit”, shprehet Aliu për KP.

Më tej, derisa flet për rastin e të miturës nga Ferizaj, Adelinë Berisha shton se ajo u vra brutalisht dhe për këtë nuk raportoi askush nga fqinjët.

Shteti del të jetë përgjegjës edhe në rastin e Sebahate Sopit në lagjen “Emshir” të Prishtinës, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaron se në këtë rast ka munguar kujdesi dhe përgjegjësia për mbrojtjen e viktimës.

“Ne gjatë këtij viti kemi pasur fatkeqësisht disa raste me humbje jete të qytetarëve tanë, si pasojë e dhunës në familje. Dhe rasti që dua të përmend unë sot këtu, i cili padyshim përveçse ka ngritur shqetësim ka adresuar konkretisht edhe rekomandim për shtetin se si duhet të zgjidh çështjet që lidhin me dhunën në familje që të mos përsëriten këto raste, ka qenë rasti i ‘Emshirit’, rasti ‘Sopa’”.

“Në cilën rast ne kemi analizuar dhe pas hetimeve ka dalë që shteti është përgjegjës dhe nuk ka arritur të përmbush përgjegjësitë pozitive në raport me qytetarët kur janë viktima të dhunës në familje. Në këtë rast ka munguar kujdesi dhe fakti se organet e policisë dhe prokuroria kanë qenë neglizhente dhe sot i kemi dy jetë të humbura të qytetarëve tanë”, deklaron Qelaj.

Edhe gjatë vitit 2020 janë shënuar katër raste të vrasjeve tragjike. Gjatë vitit të kaluar janë organizuar shumë protesta e marshime për reagim institucional dhe dënime të merituara për personat që kryejnë vepra të tilla./GazetaSinjali/