Në Shqipëri mbërritën mbrëmjen e së premtes 38.400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca, me të cilat do të fillojë menjëherë vaksinimi i mësuesve e pedagogëve.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku mbërritën vaksinat “AstraZeneca”.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se prej sot do të nisin vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve, duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi, në një pjesë të konsiderueshme të të gjithë vendit.
“Së shpejti do të vijë një sasi më e konsiderueshme. Me kompaninë ‘Astrazeneca’ do të vijnë edhe rreth 60 mijë doza që do të jenë këtu në muajin prill dhe po ashtu me ‘Pfizer’ kemi 30 mijë doza të tjera që vijnë gjithashtu në prill”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “ideja është të kemi një vaksinim të gjerë për të thyer sa më shumë zinxhirin e infektimeve duke lehtësuar ndjeshëm sezonin turistik”. /Gazeta Sinjali/