Turizmi në Shqipëri po fillon që të gjallërohet me shpejtësi pas humbjeve që u shënuan nga pandemia e COVID-19 dhe këtu rolin kryesor e ka Kosova.
“Kosova është furnizuesi ynë kryesor me turistë, prandaj ne duhet të ndërmarrim masa të rëndësishme për këtë vit, qoftë me ulje taksash por edhe subvencionim të taksës së rrugës së Kombit. Pra janë elemente që po i përdor rajoni. Autostrada Shkup-Prishtinë u jep mundësi daljeje në Greqi. Shqipëria vërtet ka numrin më të madh të turistëve, por ka të ardhurat më të ulëta për turist, vetëm 390 dollarë, ndërkohë që Kosova ka 940 dollarë të ardhura për çdo turist”, u shpreh kryetari i Hotelierëve dhe i Shoqatës së Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi
Hotelierët kërkojnë edhe më shumë, andaj kanë dalë me idenë që të subvencionohet taksa që paguhet për kalim në “Rrugën e Kombit”.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me shpejtësi në prill, ku ndikimin kryesor në këtë ka dhënë Kosova.
Numri i hyrjeve të vizitorëve nga Kosova në Shqipëri është 136.022 apo 21.13% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2019 kur nuk kishte pandemi (viti 2020 nuk është marrë si referencë, pasi kufiri ishte i mbyllur për shkak të COVID-19).
Por edhe për periudhën janar-prill, numri i vizitorëve nga Kosova ka shënuar rritje. Nga 316.221 vizitorë që janë regjistruar në janar – prill 2019, në këtë periudhë të këtij viti, nga Kosova në Shqipëri janë regjistruar të kenë hyrë 381.389 persona apo 20.6% më shumë.
Pavarësisht se numri i hyrjeve nga Kosova për në Shqipëri po njeh vetëm rritje, operatoret turistikë në vend kërkojnë që të mbajnë këtë kontingjent turistësh. Kryetari i Hotelierëve dhe i Shoqatës së Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, thotë se këtë sezon duhet të punohet për të mbajtur turistët kosovarë nëpërmjet subvencionimit të taksës në Rrugën e Kombit. Ai pret për këtë vit 3 milionë turistë. “Ne vjet kishim rreth 2.4 milionë turistë dhe shpresojmë që këtë vit të kapim 3 milionë. Sipas ekspertëve, numri i turistëve mund të kthehet në normalitet këtë vit, por të ardhurat e 2019-s do të mund të arrihen në fund të vitit 2025”, tha Topuzi. Sipas tij, përpos numrit të lartë të turistëve, të ardhurat janë të ulëta dhe për këtë arsye Shqipëria duhet të luftojë për të tërhequr sa më shumë turistë elitarë. Shton se këtë sezon duhet të punohet për të mbajtur turistët kosovarë nëpërmjet subvencionimit të taksës në Rrugën e Kombit, raporton KOHA.
Subvencionimi i taksës
“Kosova është furnizuesi ynë kryesor me turistë, prandaj ne duhet të ndërmarrim masa të rëndësishme për këtë vit, qoftë me ulje taksash por edhe subvencionim të taksës së Rrugës së Kombit. Pra, janë elemente që po i përdor rajoni. Autostrada Shkup-Prishtinë u jep mundësi daljeje në Greqi. Shqipëria vërtet ka numrin më të madh të turistëve, por ka të ardhurat më të ulëta për turistë, vetëm 390 dollarë, ndërkohë që Kosova ka 940 dollarë të ardhura për çdo turist, pra 2.5 herë më shumë”, u shpreh Topuzi.
Taksa në Rrugën e Kombit është 10 euro, 5 për vajtje e 5 për kthim.
Në fakt, edhe pse moti nuk ka qenë i qëndrueshëm në muajt e parë të pranverës, plazhet e Shqipërisë janë frekuentuar nga shumë pushues, Njësoj ishte edhe këtë fundjavë. Vetëm të shtunën llogariten të kenë hyrë në Shqipëri 6300 automjete me rreth 13 mijë qytetarë të Kosovës. Ndërkohë që vazhdon të jetë i lartë numri i hyrje-daljeve nga pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës me Maqedoninë Veriore.
Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë fundjavës në të dyja anët e kufirit me Maqedoninë Veriore kanë hyrë dhe kanë dalë 4.880 shtetas. Numri më i lartë sipas burimeve zyrtare, është regjistruar në hyrje nga vendi fqinj në Shqipëri, me 2.646 shtetas. Ndërkohë që kanë dalë nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut 2.234 shtetas. Numri i lartë i hyrjeve drejt Shqipërisë tregon se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kalojnë fundjavën në Shqipëri.
Priten rreth 100 mijë turistë serbë
Ndërkohë, pjesa më e madhe e shtetasve të cilët dalin nga pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës vijon ta përdorë Maqedoninë e Veriut si vend transit për të kaluar në Greqi, aty ku një pjesë e mirë e tyre jetojnë dhe punojnë. Shqipëria, përveç nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pritet që këtë sezon turistik të tërheqë mijëra turistë nga rajoni, ku serbët vlerësohet se janë veçanërisht të interesuar për të vizituar Shqipërinë. Sipas operatorëve turistikë në jug të Shqipërisë , shumë pushues nordikë kanë anuluar pushimet e tyre, ndërsa pritet që turistët e rajonit të jenë ata që do të vizitojnë masivisht brigjet e Jonit e Adriatikut.
Boris Firicki, agjent i një agjencie turistike serbe që operon online, ndodhet në Sarandë, ndërsa shprehet se turistët serbë e kanë zbuluar bregdetin shqiptar vetëm vitin e kaluar, ndërsa ky do të jetë viti kur pritet, sipas tij, që në brigjet shqiptare të pushojnë rreth 100 mijë serbë.
“Në fakt Shqipëria u zbulua për turistët serbë vitin e kaluar kur ishte dhe fillimi i pandemisë së koronavirusit. Vendi juaj ishte i vetmi vend i hapur për turistët tanë. Vitin e kaluar më shumë se 40 mijë turistë nga Serbia vizituan Shqipërinë, këtë vit Shqipëria ka fituar mjaft popullaritet për shkak të shpërndarjeve në rrjetet sociale, mediave dhe nga përshtypjet që turistët e vitit të kaluar kishin për vendin tuaj”, tha Firicki.