Pas takimit në Washington të SHBA-së, një përballje e radhës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i radhës mes Hotit dhe Vuçiqit do të mbahet të hënën, më 7 shtator.
Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka konfirmuar se takimi në nivel të ekspertëve do të mbahet gjatë fundjavës së ardhshme.
Ai ka paralajmëruar se në takim do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe çështjet e kërkesave financiare dhe të pronësisë.
I pyetur se a do të diskutohet edhe për dëmet e luftës, Stano ka thënë se vetë ideja e takimit është që të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.
“Ky është një dialog që do të rezultojë me një normalizim të raporteve mes palëve dhe që do të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht obliguese. Ne jemi lehtësues e jo komentues të dialogut”, ka theksuar ai. /Gazeta Sinjali