image Në Kosovë nuk ka afgan që nuk e ka kaluar verifikimin

Kosovë

Në Kosovë nuk ka afgan që nuk e ka kaluar verifikimin

news image

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se deri më tani asnjë nga afganët që po strehohen në Kosovë nuk ka dështuar që ta kalojnë procesin e verifikimit të së kaluarës.

Sipas këtij zyrtari amerikan, afganët që janë në Kosovë, aktualisht janë duke kaluar nëpër procese shëndetësore si dhe procese të verifikimit të së kaluarës, proces ky që kërkon një periudhë më të gjatë kohore.

“Asnjë vendim i tillë nuk është marrë deri më tani. Pra nuk ka një vendim deri më tani për dikë që nuk mund të shkojë [në ShBA]”, tha zyrtari amerikan.

Kosova dhe ShBA-ja kanë një marrëveshje për strehimin e afganëve për një periudhë njëvjeçare.

Sipas këtij zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit, asnjë nga afganët që potencialisht mund të mos kalojë procesin e verifikimit, nuk do të mbetet në Kosovë.

Ata do të jenë në Kosovë për vetëm 365 ditë dhe jo më gjatë se aq. Në rast se duhet më shumë kohë, ne do të gjejmë një vend tjetër për ta, e që duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha palët në rast se ata ende nuk mund të shkojnë në ShBA. Marrëveshja që kemi me Kosovën thotë se ata nuk do të rrinë në Kosovë”, tha zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë një bisede me disa gazetarë të Kosovës.

Deri në fillim të muajit shkurt të këtij viti, rreth 400 afganë që po qëndronin në kapin Liya, ishin zhvendosur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që nga gushti i vitit të kaluar kur talibanët morën pushtetin në Afganistan, SHBA-ja dhe shtetet aleate përmes rrugëve ajrore arritën që të evakuojnë më shumë se 130 mijë qytetarë nga Afganistani, por sipas Departamentit amerikan të Shtetit, atje ende mbesin rreth 100 mijë persona të cilët SHBA-ja do të dëshironte t’i evakuonte.

Këta persona thuhet se kanë punuar në kapacitete të ndryshme për ushtrinë apo agjencitë e inteligjencës amerikane dhe tani konsiderohen si persona të rrezikuar nga talibanët.

Mbi 1,300 shtetas afganë kanë gjetur strehim në Kosovë qysh nga muaji gusht i vitit 2021.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, një burim qeveritar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se në kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane Bondsteel, që gjendet në afërsi të qytetit të Ferizajt janë duke qëndruar rreth 200 afganë.

/GazetaSinjali/