Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, të burgosurit kanë përfunduar ndërtimin e serës bujqësore.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, SHKK-ja ka bërë me dije se e gjithë puna është kryer nga tre të dënuar dhe se produktet bujqësore nga kjo serë do të përdoren për nevoja të institucioneve korrektuese.
Njoftimi i plotë:
Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan bëhet me Serë Bujqësore
Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia në vend, në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, të burgosurit nuk i kanë ndërprerë aktivitete e tyre të përditshme.
Në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, sot në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, të burgosurit kanë përfunduar ndërtimin e Serës Bujqësore.
E gjithë puna është kryer nga tre të dënuarit e pavijoneve gjysmë të hapura dhe është udhëhequr nga stafi i QKFL-së, ndërsa në aspektin profesional është mbikëqyrur nga Divizioni i Inxhinieringut të SHKK-së.
Të burgosurit, përveçse kanë aktivitete të shumta edukative, sportive, ata çdo ditë e më tepër po zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat po shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë.
Falë punës së të burgosurve, në seren bujqësore do të angazhohen në punë të burgosurat e QKFL-së, me ç` rast produktet bujqësore nga kjo serë do të përdoren per nevojat e institucioneve korrektuese.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes këtyre aktiviteteve synon të ndikoi në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur, e po ashtu edhe në racionalizimin e buxhetit të SHKK-së. Përveç kësaj, puna e të burgosurave brenda kësaj qendre normalizon edhe jetën e përditshme.
Në shenjë falënderimi për punën dhe angazhimin tyre, Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, z. Heset Loku, ndau mirënjohje./Gazeta Sinjali/