Ndonëse numri i rasteve me COVID-19 ditëve të fundit është rritur, ndërsa qeveria ka apeluar për zbatim të masave sepse në të kundërtën do të detyrohen t’i shtrëngojnë ato, në kafeterinë “Etno” në Gjakovë, e cila i shkeli vendimet e Qeverisë mbrëmë dhe u mbyll pas raportimit të Gazetës Sinjali, argëtoheshin edhe zyrtarë policorë.
Pak kohë para se të ia mbyllnin lokalin, në të cilin ishin grumbulluar një numër i madh i njerëzve dhe vazhdonin të argëtoheshin me muzikë “në kupë të qiellit” edhe pas orës 21:00, pronari i kësaj kafeterie postoi fotografi në rrjetin social “Instagram”, me dy zyrtarë policorë të Policisë në Gjakovë, Gazmir Laski dhe Arben Tahiraj.
Edhe pse pronari i kafeterisë argëtohej me zyrtarët policorë, të cilët nuk ndërmorrën veprime që të intervenojë Policia, “reklamimi” me të njëjtit, është inkurajim për qytetarët që “të ndihen të sigurt” në shkeljen e masave.
Megjithatë, pas raportimit të Gazetës Sinjali, se kjo kafeteri ishte e stërmbushur, duke shkelur kështu vendimet e Qeverisë dhe ligjin anti-COVID, Policia e Kosovës dhe Inspektorati kanë intervenuar, duke e mbyllur.
E njëjta kafeteri edhe gjatë kohës së pandemisë është mbyllur dy herë, por siç duket nuk i kanë marrë “seriozisht” veprimet e Policisë.
Kujtojmë se zyrtari policor, Arben Tahiraj, është sulmuar më 15 korrik bashkë me një zyrtarë tjetër, nga tre persona, derisa ishin duke ia shqiptuar një gjobë për kundërvajtje një personi tjetër.