Një rast i dhunës në familje ka ndodhur sot në rrugën “C” në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij, rreth orëve të pasdites, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë dhënë detaje nga rasti i raportuar në Polici dhe intervistimi i dy palëve dhe nënës së të dyshuarit.
I dyshuari, gruaja dhe nëna e tij janë shoqëruar në stacionin policor “Jugu” në Prishtinë, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Fillimisht është intervistuar viktima, gruaja e të dyshuarit, e cila ka deklaruar se ka pasur fjalosje me burrin e saj, por që i njëjti nuk e ka sulmuar.
Edhe nëna e të dyshuarit, sipas burimeve të Sinjalit ka thënë se i biri dhe nusja e tij kanë pasur konflikt verbal dhe se ajo s’e ka parë djalin ta ketë sulmuar bashkëshorten.
Por ndryshe ka deklaruar vet i dyshuari.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se i dyshuari u ka thënë hetuesve policorë se e ka filluar vet fjalosjen me gruan, të cilën më pas e ka goditur me jastëkë. Pasi e ka sulmuar bashkëshorten, i dyshuari e ka njoftuar vet Policinë.
Pas marrjes së deklaratave të të gjitha palëve, prokurorja kujdestare ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë. /GazetaSinjali/