Sot u zyrtarizua nga Federata maqedone e futbollit se ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në play-offin e Ligës së Kombeve do të luhet pa praninë e tifozëve.
Ndërsa kjo mund të ndikojë negativisht për ekipin maqedon, Kosovës s’duhet t’i interesojë kjo.
“E para është që pa shikues është vështirë të motivohesh për lojë. Për shkak se futbolli luhet për shikues. E dyta ndoshta mund të ndikojë për shkak se në do të kishim pasë më shumë tifozë atje dhe djemtë tanë kishin pasë përkrahje. Por prapë këta janë lojtarë profesionist dhe duhen të adaptohen në çfardo situate të luhet ndeshja” – tha për Gazetën Sinjali ish-trajneri i Ferizajt, Bekim Isufi.
Të njëjtin mendim e pati edhe analisti Genc Sermaxhaj.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali ai tha se do të jetë më e vështirë për ekipin maqedon, ndërsa lojtarët tonë duhet ta kenë çasjen e njëjtë.
“Do të kishte qenë mirë që ndeshja të luhej me tifozë, sepse motivi do të ishte ndryshe. Gjithashtu futbolli luhet për tifozë mirëpo Kosovës në këto momente duhet të i interesojë vetëm fitorja dhe duhet gjetur motivi i njëjtë sikur kjo ndeshje të luhet me tifoz. Nuk mendoj se do të ndikoj negativisht, çasja duhet të jetë e njëjtë e futbollistëve ngase ata janë profesionist dhe duhet të bëjnë më të mirën e tyre në fushë karshi çdo faktori të mundshëm. Ngjashëm do të jetë edhe për ekipin maqedon, ndoshta ata mund të jenë në një situatë edhe më të vështirë se sa ne sepse nuk mund ta kenë mbështetjen e tifozëve vendas që do të ishin në numër më të madh. Motivi dhe përgatitja psiqike do duhej të jetë në nivelin më të mirë për Kosovën që të kemi rezultat pozitiv” u shpreh Genc Sermaxhaj.
Maqedonia e Veriut gjithashtu po shqyrton mundësinë e shtyerjes së ndeshjes, por ende nuk ka asgjë zyrtare./Gazeta Sinjali/