Prokuroria Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tetë persona të përfshirë në rastin e vrasjes në Hallaq të Madh në Lipjan, mëngjesin e sotëm, shkruan Gazeta Sinjali.
Njëri nga personat e ndaluar dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, personi i dytë dyshohet për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria njofton se katër persona të tjerë dyshohen për veprat penale “ndihmë” dhe “pjesëmarrje në rrahje”, si dhe dy persona të dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.
Rasti në fjalë ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:00 në fshatin Hallaq të Madh në Lipjan, ku si pasojë e një përleshje me armëzjarri mes dy familjeve, një person vdiq, ndërsa pesë të tjerë morën lëndime të rënda trupore dhe momentalisht janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, bashkë me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në kumtesën e prokurorisë.
Po ashtu, bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për obduskion për trupin e pajetë./Gazeta Sinjali/