Është ndarë nga jeta mjeshtri i madh, aktori i humorit, Gëzim Kruja.
Për mbi 60 vite kontribuoi duke u bërë një prej figurave më të dashura të artit shqiptar me pjesë të pafundme humoristike duke u kthyer në emblemë të skenës. Gëzim Kruja u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare pas disa problemeve shëndetësore. Ai ishte njeriu i lindur i skenës, i paaritshëm në aktrim me një talent të spikatur dhe skeçet e tij do të kujtohen gjatë nga shqiptarët.
Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës.
Ai kishte mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.
Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.