Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për fondin 1 milion dollarë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë familjeve të prekura nga lëkundjet e tërmetit një ditë më parë.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit bashkiak, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se 20% e fondit (200 milionë lekë) do të shkojë në formë solidariteti për qytetin e Durrësit, i cili po ashtu u prek nga tërmeti.
Bashkia e Tiranës miratoi me urgjencë edhe dy vendime të rëndësishme që u vijnë në ndihmë njerëzve në vështirësi ekonomike. Kështu, pagesat për muajin shtator për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar dhe ata që marrin pagesa nga fondi 6% për ndihmën ekonomike do ta marrin atë më parë.
“Nga nesër të mundësojmë lëvrimin e fondeve; jo vetëm kaq, por kemi futur në këtë projekt edhe pagesën për personat me aftësi të kufizuar, 1 deri më 30 shtator, dhe ndihmën ekonomike, sepse nuk ia vlen të presim fundin e muajit, le t’i kalojmë ndihmat më shpejt”, theksoi Veliaj.
Në shenjë solidarizimi, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës vendosën unanimisht që pagën e tyre të shtatorit ta dhurojnë për të prekurit nga tërmeti.
Kryebashkiaku Veliaj siguroi të gjitha familjet e prekura nga tërmeti se do të ndiqet një politikë lehtësuese për rindërtimin e banesave. Ai theksoi se pas verifikimeve, të gjithë ata që duan të ndërtojnë me të njëjtën kubaturë (sipërfaqe), do të kenë procedura të përshpejtuara.
“Problem imediat është strehimi për disa familje. Kemi 35 ndërtesa që janë jashtë funksionit. Kryesisht, janë ndërtesa në zonat rurale, të cilat i kemi shpallur të pabanuara; një pjesë të tyre po i transferojmë në qendra sociale. Po bëjmë gati edhe një konvikt, përfitojmë nga fakti që universiteti fillon pak më vonë dhe kemi një muaj kohë që mund të amortizojmë këto nevoja. Kemi 3 pallate që zv/kryeministri kishte inspektuar në Kombinat, prapë pallate të vjetra, ato që quheshin pallatet sovjetike, për të cilat do marrim një vendim nesër; nëse ekspertët e Institutit të Ndërtimit i shpallin të pabanueshme, atëherë edhe për këto do të hapim një konvikt. Ndërkohë, nëse disa kërkojnë ndërtim nga e para, atëherë do të kalojmë në një formulë më afatgjatë që janë banesat sociale që kemi në Shkozë dhe do të sigurojmë më pas edhe transportin”, tha Veliaj. /Gazeta Sinjali/