image Nagavci për aktakuzën: Kundërshtimi i Zajednicës e Demarkacionit ishte i domosdoshëm

Politikë

Nagavci për aktakuzën: Kundërshtimi i Zajednicës e Demarkacionit ishte i domosdoshëm

news image

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se nga mediat është njoftuar për aktakuzën që është ngritur ndaj saj nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Nagavci me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se sot është edhe më e bindur për veprimin që ka bërë më 21 mars të vitit 2018, kur kishte hedhur gazlotsjellës në Kuvendin e Kosovës si shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë së atëhershme.

“Për aq sa u njoftova nga mediat, aktakuza ka të bëjë me angazhimin tonë në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme, përkatësisht ‘’Zajednicë’’ e ‘’Demarkacion’’, njëra që cungonte sovranitetin, tjetra territorin e Kosovës. Nëse asokohe isha e sigurt, sot në vitin 2022 jam edhe më e bindur se kundërshtimi dhe rezistenca përveçse i drejtë ishte edhe i domosdoshëm. Deputeti betohet në respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe pas vendimit të GJK-së me 2015 mosveprimi ndaj cënimit që po i bëhej vendit do të përbënte shkelje e betimit të deputetit”, ka shkruar ajo.

Nagavci tha se ndihet krenare për kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve, dëmet e së cilave tha se “jemi duke i vuajtur edhe sot”.

/GazetaSinjali/