Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kërkojë zgjedhje, me arsyetimin se vetëm politikat e saja mund të zgjidhin problemet aktuale me të cilat përballet vendi.
Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë së kësaj partie opozitare, ka thënë se qeveria aktuale nuk është legjitime dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Sa më parë duhet të kemi legjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja, në mënyrë që politikat e Lëvizjes Vetëvendosje t’i zbatojmë në ekzekutiv”, është shprehur Nagavci në TV Dukagjini.
Duke folur rreth kërkesave të BE-së dhe Serbisë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, e për të cilat qeveria e Avdullah Hotit thotë se është temë e mbyllur, Nagavci tha se në mënyrë që të diskutohet asociacioni fillimisht është dashur të rrëzohet Qeveria e Albin Kurtit.
Ajo tha se në këtë kohë nuk duhet të ketë zgjedhje të presidentit, pasi një gjë e tillë sipas saj, do t’ia mundësojë Hotit vazhdimin me qeverisjen aktuale. /Gazeta Sinjali/