Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e quan të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e dekretit të presidentit Thaçi.
Vendimin për dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit nga LDK për formimin e qeverisë së re, Nagavci e ka quajtur politik, ndërkohë që sipas saj Kushtetuesja nuk ka interpretuar, por shkruar në një linjë me Thaçin.
Nënkryetarja
e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci të premten tha se me vendimin e djeshëm
të Kushtetueses është rrëzuar Kushtetuta, si akti më i lartë juridik.
“Për fat të keq ky vendim më shumë se një vendim që do të pritej të ishte me
argumente të qarta juridike, ngjan në një vendim politik. Dhe pas shkeljes së
kushtetutës nga ana e presidentit me dekretin e tij, faktikisht kemi edhe një
tejkalim të kompetencës së Gjykatës Kushtetuese. Të cilët në vend se të
interpretonin kushtetutën morën rolin e shkrimit të kushtetutës. Për Lëvizjen
Vetëvendosje një vendim i tillë si subjekt politik është i papranueshëm sepse
është një vendim që faktikisht e rrëzon edhe kushtetutën tonë aktin më të lartë
juridik. Dhe duket si një vendim i shkruar në një linjë me deklaratat e
presidentit Thaçi në komentet e tij. Dhe e humb tërësisht kuptimin e zgjedhjeve
të lira në vendin tonë”, ka deklaruar Nagavci.
Për këtë Nagavci tha se LVV do të shfrytëzojë të gjitha mjetet politike përmes rrugës demokratike, siç tha ajo, për të qenë bashkë me qytetarët. Sipas saj, këta të fundit duhet t’i japin legjitimitet institucioneve të vendit.
Duke
përmendur protestën e cila është thirrur me datën 5 qershor, Nagavci tha se LVV
nuk ka marrë ende një vendim të tillë.
“Nuk është se Lëvizja ka marrë një vendim të tillë, ne do të bëjmë më kohë të
ditur dhe publike qëndrimin tonë dhe kërkesat tona. Pra, ne nuk kemi paraqitur
akoma se kur planifikojmë të organizojmë një protestë. Dhe ashtu siç e thash ne
jemi të interesuar t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet politike dhe demokratike
që kemi në dispozicion. Sa i përket dhunës besoj që gjithë qytetarët e kanë
përcjellë gjatë kësaj kohe, gjuha e presidentit Thaçi ka qenë jashtë çdo
mandati të tij si president dhe rolit të tij unifikues, ka qenë një gjuhë
përçarëse dhe ngjall pakënaqësi dhe urrejtje. Një gjuhë të tillë e kemi parë
edhe nga krerët e subjekteve të tjera, gjegjësisht nga kryetari i AAK-së.”,
theksoi ajo.
Ndër të
tjera, ajo ka bërë të ditur se për vendimin e djeshëm do të kërkojnë edhe një
opinion nga Komisioni i Venecias.
Pas vendimit të mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se seanca për votimin e qeverisë duhet të mbahet deri të hënën./Gazeta Sinjali/