image Mustafa: Taksa s'ka arsye të mbahet, mallrat prej Serbisë vazhdojnë të hyjnë në Kosovë në mënyra tjera

Kosovë

Mustafa: Taksa s’ka arsye të mbahet, mallrat prej Serbisë vazhdojnë të hyjnë në Kosovë në mënyra tjera

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka asnjë arsye që taksa ndaj produkteve serbe të mos hiqet.

Mustafa ka deklaruar se edhe me vendosjen e taksës, mallrat e Serbisë kanë vazhduar të hyjnë në Kosovë.

“Nuk jam i bindur qe taksa i ka shkaktuar dëme milionëshe Serbisë. Unë jam i bindur që mallrat prej Serbisë kanë vazhduar të hyjnë në Kosovë në mënyra tjera, kështu që Serbia i ka eksportuar mallrat përmes vendeve tjera në Kosovë. Prandaj, sa i përket dëmeve nuk jam i bindur, unë dyshoj se Serbia në vend që t’i shtyjë ato mallra drejtëpërdrejt i ka eskportuar përmes vendeve tjera”, ka thënë Mustafa.

Tutje Mustafa ka deklaruar se taksa nuk po i bën mirë vendit dhe se nuk ka asnjë arsye që të mbahet tutje.

“Ne kemi një kërkesë të SHBA që taksa të hiqet, dhe të mos veprohet me masa të reciprocietit në mënyrë që të krijohet një raport mirëbesimi dhe të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi. Jemi pajtuar si LDK që taksa të hiqet, sepse nuk shohim asnjë arsye që po na ndihmon taksa, nuk po i bën mirë vendit. Nuk ka asnjë arsye që taksa të mbahet më tutje “, ka thënë Mustafa për RTV 21 .

Mustafa ka deklaruar se nuk ka logjikë heqja e pjesshme e taksës dhe se është një mesazh i keq për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne po bëjmë përpjeke për të harmonizuar një qëndrim. Ta them publikisht se nuk mund të funksionojë heqja e pjesshme. Në moment që Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë që jemi kundër heqjes së pjesshme dhe në moment që pas kësaj artikulohet edhe Serbia edhe thotë që ne nuk e pranojmë heqjen e pjesshme, atëherë cila është logjika jonë që ne të mendojmë se e heqim pjesshëm më 15 mars dhe presim deri me 30 mars që Serbia të reflektojë, por Serbia duke e përcjell Amerikën thotë që unë nuk e pranojë këtë”, ka deklaruar Mustafa./Gazeta Sinjali/