Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ka kërkuar pajtimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për formimin e një koalicioni qeverisës me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe komunitetet.
Mustafa tha se nuk do të bisedojnë për konkretizimin e këtij koalicioni, pa u shterrë të gjitha rrugët kushtetuese që Lëvizja Vetëvendosje ta marrë mandatin si parti e parë.
“Kam kërkuar pajtimin ne parim te Këshillit te Përgjithshëm. Nuk do të bisedoj për konkretizim të koalicionit me asnjë nga subjektet AAK, Nisma, AKR, partitë e komuniteteve jo shumicë, pa u shterrë te gjitha rrugët kushtetuese për ta marrë mandatin VV, si parti e parë, fituese relative e zgjedhjeve”, u shpreh Mustafa për KosovaPress.
Lëvizja Vetëvendosje, përkundër dy letrave të presidentit Hashim Thaçi ku ka kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër, ende nuk ka kthyer përgjigje.
Me inicimin e LDK-së, më 25 mars, rreth 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti. /Gazeta Sinjali/