Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, thotë se të gjithë duhet të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, derisa ka shtuar se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, vetëm po zbaton një vendim të tillë.
Ai shton se ishte Vetëvendosja ajo që inicioi në Kushtetuese çështjen e votës së Etem Arifit dhe tash, sipas tij, pasojat e vendimit duhet t’i bartë.
“Daka nuk e ka iniciuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese lidhur me votën e ish-deputetit Etem Arifi. Këtë e ka iniciuar Vetëvendosja. Në qoftë se një çështje iniciohet në Gjykatën Kushtetuese atëherë duhet të kenë gjithmonë parasysh të gjitha pasojat që vijnë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese”, tha Mustafa në televizionin publik.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti tha se do t’i prijë listës së VV-së pavarësisht se nuk u certifikua nga KQZ.
“Mendoj se çdo njëri prej nesh duhet të respektojë ligjin. Ligji është ai që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Nuk shoh asnjë mundësi që dikush të jetë në krye të listës ose të jetë kandidat i certifikuar për deputet nëse ligji nuk e lejon atë. A është në rregull kjo apo jo është punë tjetër. Duhet të vetëdijesohemi që nuk duhet të lejojmë në Kosovë që dikush të bëhet përfaqësues i legjislativit ai i cili ka shkelë ligjet. Për mua, nëse s’do të kishte qenë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese do të ishte më mirë që të gjitha ata që janë në listën e deputetëve të vazhdojnë të garojnë”, tha Mustafa.