Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka rikonfirmuar koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, për qeverisje të përbashkët.
Këtë deklaratë kreu i LDK-së e ka bërë gjatë një takimi me ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ku foli për programin e përbashkët qeverisës.
“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadoren Butel për qëndrimin e LDK-së drejt një programi të përbashkët qeverisës LDK – LVV të përqendruar tek shtyllat kyçe si dialogu Kosovë – Serbi, shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe zhvillimit të arsimit, shëndetësi dhe ekonomisë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Nga ana tjetër ambasadorja Butel e ka uruar kryetarin Mustafa për rezultatin zgjedhor të LDK-së, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit./Gazeta Sinjali/