Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, Ragmi Mustafa, është takuar sot me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavcin, si dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Dukagjin Popovci.
Gjatë këtij takimi, Mustafa thotë se i ka kërkuar Nagavcit që MASHTI t’i furnizojë me tekste në gjuhën shqipe nxënësit e Preshevës.
Ai po ashtu thotë se ka kërkuar që të punohet edhe për njohjen e diplomave në Serbi të studentëve nga Preshevë që studiojnë në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
“Pas përurimit kërkova mbështetjen MASHTI si në procesin e sigurimit të lejeve përdorimit dhe furnizimi me tekste shkollore për nxënësit e Luginës e deri tek modernizimi i shkollave. Theksova mosnjohjen e diplomave të Kosovës në Serbi të trajtuara në dy marrëveshjet, si ajo e Brukselit ashtu edhe Washingtonit”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Mustafa thotë se ka marrë zotimin e ministres dhe të zëvendësministrit që ekziston vullneti për të ofruar mbështetje për këto kërkesa.
“Vlerësuam se bashkëpunimi dhe bashkërendimi edhe me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë është i rëndësishëm në avancimin e arsimit në Luginë, posaçërisht në përmbylljen e ciklit fillor me tekstet mësimore, përderisa diplomat mbeten pjesë zgjidhjes së shpejtë rajonale”, shkroi tutje ai.
I pari i Këshillit Kombëtar thotë se Nagavci i ka ofruar mbështetje të fuqishme në aktivitetet e përbashkëta kulturore, sportive, garat e ndryshme si dhe përkrahja për bibliotekat shkollore./Gazeta Sinjali/