Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka quajtur skandal dhe turp deklaratën e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, për televizionin anglez BBC, se Kosova është vend i zhytur në krim e korrupsion, shkruan Gazeta Sinjali.
Musliu ka thënë se një deklaratë e tillë është e pritshme të dëgjohet nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.
“‘Kosova është vend i korruptuar dhe zhytur në krim’ është e pritshme dhe e kuptueshme të dëgjohej nga Ana Brnabic, por të thuhet në BBC nga pretendentja për presidente të Kosovës, përveç që është marre përbën edhe skandal”, ka shkruar Musliu në Facebook.
“Pritjet e të rinjve nuk janë përmbushur në shumë aspekte. Siç thashë, një nga problemet kryesore në vendin tonë është krimi dhe korrupsioni, që ne synojmë t’i ndalim përmes veprimeve konkrete në qeverinë e ardhshme, por njëkohësisht besoj se ka qenë rreth shembullit që do të vendoset nga udhëheqësia e këtij vendi, pra ne do të udhëheqim me shembull, siç kemi dëshmuar viteve të kaluara se jemi të pakorruptueshëm, por njëkohësisht duke treguar se absolutisht nuk bëjmë kompromise me ata që korruptohen“. tha Osmani për BBC.
“Në këtë mënyrë, ne do të sjellim demokraci së pari për institucionet e Kosovës dhe së dyti duke u përqendruar në dy fusha kryesore, që janë shkollimi dhe vendet e punës për rininë duke u bazuar në meritokraci”, ka deklaruar mes tjerash ushtruesja e detyrës së presidentes./Gazeta Sinjali/