Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës spanjolle, Mallorca, Vedat Muriqi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2022.
Në ceremoninë tradicionale të Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila u mbajt, të shtunën, në “Klan Arena”, në një atmosferë madhështore dhe me praninë e mysafirëve të shumtë, çmimin kryesor të mbrëmjes “Fadil Vokrri” në mungesë të Muriqit, i cili është i angazhuar me skuadrën e tij, e pranoi drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, derisa atë e dorëzuan bashkërisht presidenti Agim Ademi dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Për Muriqin ky është çmimi i dytë i futbollistit të vitit nga FFK, ngase herën e parë e kishte fituar në vitin 2019.
“Ju uroj festat e fundvitit. Jam i lumtur dhe krenar për këtë çmim. Falënderoj bashkëlojtarët e Kombëtares. Jam i sigurt se do të më përkrahni deri në fund të karrierës. Është hera e dytë që po zgjidhem si më i miri. Shpresoj që viti 2023 të jetë viti i Kosovës dhe të arrijmë majat, si në aspektin ekipor me Kosovën, por edhe në aspektin individual”, ka thënë Muriqi.