Alain Giresse është përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës. Ai sot është zyrtarizuar nga Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi në një konferencë për shtyp të mbajtur në Prishtinë.
Trajneri francez merr drejtimin e “Dardanëve” pas shkarkimit të zviceranit Bernard Challandes më 13 tetor të vitit të kaluar.
Pas emërimit të 69-vjeçarit në krye të shtabit teknik te Kosova ka reaguar edhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi që ka qenë një kritik i madh i ish-trajnerit, Bernard Challandes sa ishte në postin e trajnerit te ekipi kombëtar.
Munishi trajnerin e sapozgjedhur të Kosovës, Giresse e ka quajtur edhe si “magjia e kombëtares franceze” kur ata triumfuan në Kampionatin Evropian në vitin 1984. Platini, Tigana, Fernandez dhe selektori ynë tashmë Alain Giresse ishin magjia e kombëtares franceze kur ata fituan Kampionatin Evropian në vitin 1984”, ka shkruar Munishi në llogarinë e tij në Facebook.
“Unë atëherë isha 10-vjeçar dhe normalisht idhulli im ishte Platini, por e mbaj mend shumë mirë këtë 4-she fantastike të mesfushës e normalisht edhe selektorin tone, Giresse i cili ka qenë një lojtar fantastik. Mirë se vjen, Giresse na priftë e mbara”, shkroi ai.