image Mungesa e syçeltësisë së Policisë, gati u kushtoi me jetë vëllezërve Krasniqi

Kosovë

Siguri/ Mungesa e syçeltësisë së Policisë, gati u kushtoi me jetë vëllezërve Krasniqi

news image

Policët e Kosovës Ahmet Jusufi dhe Ejup Mehani po të kishin qenë më vigjilent, me shumë mundësi plagosja e mbrëmshme do të evidentohej. Vëllezërit Krasniqi nga ‘Kolovica’ e Prishtinës kanë mbetur të plagosur nga fqinjët e tyre mbrëmë për shkak të një problemi pronësor, raporton Gazeta Sinjali.

Tashmë policët Ahmet Jusfi dhe Ejup Mehani, janë suspenduar për 48 orë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë për shkak se kishin injoruar ankesën e vëllezërve Krasniqi.

Dy vëllezërit Krasniqi javën e kaluar, kishin shkuar në njërin prej stacionit të Policisë së Kosovës në Prishtinë, për shkak të një kërcënimi me granatë dore nga fqinjët e tyre.

Përkundër se kishin lajmëruar rastin, dy vëllezërit Krasniqi nuk morën mbrojtje nga Policia e Kosovës, madje policia nuk kishte intervistuar as personin që i kishte kërcënuar vëllezërit.

Për shkak se rasti i dy vëllezërve Krasniqi është injoruar, tashmë dy policët: Ahmet Jusufi dhe Ejup Mehani, janë suspenduar për 48 orë, por vëllezërit Krasniqi mbeten ende me plagë nga arma e zjarrit që ua shkaktuan fqinjët e tyre. Gazeta Sinjali ka provuar të konfirmojë suspendimin e dy policëve nga detyra, por që një gjë e tillë është thënë se nuk mund të bëhet e ditur deri nesër.

Gjithnjë sipas burimeve të Gazetës Sinjali, fillimisht njëri prej vëllezërve Krasniqi kishte shkuar në stacionin e Policisë së Kosovës për të treguar kërcënimin që u ishte bërë nga fqinjët e tyre. Kërcënimi kishte ndodhur për shkak të një parcele.

Aty në stacion fillimisht kishte shkuar njëri prej vëllezërve që nuk ishte kërcënuar, por më pas kishte shkuar edhe vëllai tjetër, i cili ishte kërcënuar me granatë dore.

Megjithatë, policët që kishin qenë në stacion nuk kishin hapur fare rastin e dy vëllezërve Krasniqi. Kjo sipas burimeve të Gazetës Sinjali, ishte bërë për shkak se vëllezërit, pasi kishin shkuar aty kishin thënë se nuk dëshirojnë të hapin rast.

Përkundër se policëve Ahmet Jusufit dhe Ejup Mehanit, u ishte thënë se personat në fjalë, kishin kërcënuar me granatë dore, përsëri ky rast ishte heshtur nga ta.

Nga kërcënimi deri tek plagosja

Por, një javë pasi dy vëllezërit Krasniqi ishin kërcënuar për një parcelë, mbrëmja e djeshme nga kërcënimi u kthye në plagosje me armë zjarri.

Dy vëllezërit Krasniqi u plagosën me armë zjarri, ndërsa dyshimet janë se fqinjët e tyre e kryen këtë vepër. Policia e Kosovës mbrëmë arrestoi një person, ndërsa po vazhdon të kërkojë edhe për personat e tjerë të përfshirë.

“Rreth orës 17 :00 kemi marre informatën se në lagjen ‘Kolovicë’ në Prishtinë, ka pas të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”.

“Në ketë rast nga arma e zjarrit janë plagosur dy persona. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor.  Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar dhe ka konfiskuar armën që dyshohet të jetë përdorur në rast. Aktualisht njësitet policore janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në rast”, kishte deklaruar mbrëmë Ahmeti.

Gjendja e të plagosurve

Të dy vëllezërit kishin pësuar lëndime të lehta nga të shtënat me armë zjarri. Në një bisedë telefonike mjekja kujdestare Dafina Basholli, mbrëmë i tha Gazetës Sinjali se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetë.

Sipas saj, njëri nga të plagosurit është liruar për në shtëpi, pasi gjendja e tij ishte stabile, kurse i plagosuri i tjetër është trajtuar më gjatë në Klinikën e Ortopedisë.

“Njëri është liruar për në shtëpi, pasi ishte në gjendje stabile. Tjetri është ende duke u trajtuar në Ortopedinë e Re, është hospitalituar për trajtim të mëtejmë. Është i plagosur nën gjurin e djathtë, por është në gjendje stabile”, tha Dafina Basholli./Gazeta Sinjali/