image Mungesa e rrymës çrregullon bizneset

Sociale

Mungesa e rrymës çrregullon bizneset

news image

Kriza energjetike në Kosovë, e cila ka shkaktuar kufizime të furnizimit me rrymë për konsumatorët, po e çrregullon shumë biznese .

Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas zyrtarëve te Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Kosova aktualisht prodhon 600 deri në 800 megavatë rryme në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.

Në tregun botëror, çmimi i rrymës është shtrenjtuar dukshëm. Nga 69 euro për megavat sa ishte çmimi vitin e kaluar, në këtë periudhë çmimi i importit të rrymës arriti deri në 600 euro për megavat, ka thënë zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Viktor Buzhala.

Por, edhe procesi i importit është vështirësuar për shkak të mungesës së këtij produkti në shtetet tjera.

Kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini (AKB), thotë se nga mungesa e energjisë humbjet do të jenë të mëdha për bizneset. Ai shtoi se brenda javëve do të dalin edhe me të dhëna të sakta lidhur me humbjet që pësuan bizneset nga kjo situatë.

“Kjo na bën që edhe më tutje të ngecim në prodhim, shërbime e aktivitete të përditshme. Me lajmet që po rrjedhin nga Kosova se vendit po i kthehet terri është dëmtim i imazhit tek investitorët potencialë. Është e paimagjinueshme të mendohet që në Kosovë nuk ka energji elektrike”, thotë Shahini.

Reduktime mbi 2 orë

Qeveria po kërkon vazhdimisht nga qytetarët që ta kursejnë rrymën.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), fillimisht kishte paraparë që reduktimet të zgjasin rreth dy orë në ditë, por që kjo nuk ka ndodhur. Reduktimet janë shumë më të gjata.

Sipas KEDS-it, reduktimet më shumë se dy orë po ndodhin për shkak të mbingarkesës.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë, por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë./GazetaSinjali/