Menaxheri i Amir Rrahmanit, Adrian Aliaj ka treguar arsyet e mungesës së kapitenit të Kosovës për tri ndeshjet e nëntorit.
Aliaj në një deklaratë së fundmi pas kritikave ka thënë se vendimi ka qenë i përbashkët, teksa ka shtuar se Rrahmani nuk u grumbullua për shkak që sipas tij, Kosova nuk ka ndonjë objektiv konkret.
“Vendimi ka qenë i përbashkët, mes lojtarit, trajnerit të Kosovës, Napolit dhe meje, që Amiri të mos grumbullohet kësaj radhe, meqenëse Kosova nuk ka ndonjë objektiv konkret. Herën e fundit, ai u lëndua te kombëtarja dhe ende nuk e ka marrë veten mirë. Amiri ka dhënë gjithçka për Kosovën, ai e la kombëtaren e Shqipërisë për Kosovën. Nëse Kosova do të ishte duke luftuar për kualifikim, normalisht që Amiri do të vinte, por pse të mos e shohim këtë edhe nga një këndvështrim tjetër pozitiv. Pse të mos fitojë Kosova ndonjë lojtar të ri, si psh Dellova?”, ka thënë Aliaj për gazetarin e sportit, Arlind Sadiku.
Përndryshe, Kosova sot do të ballafaqohet me Izraelin, duke filluar nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.