Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar ndaj zërave të zyrtarëve në Serbi, se disa shtete do ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një reagimi për media MPJD-ja ka thënë që këto janë lajme të rreme dhe spekulime që po vijnë nga Serbia në kohën kur Kosova po i konsolidon institucionet.
Reagimi i plotë:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kërkon nga opinionin publik, por edhe nga media, që të mos bien pre e lajmeve të rreme që vijnë nga Serbia, në lidhje me pretendimet për gjoja gatishmërinë e disa shteteve për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
MPJD ju bën të ditur se rikthimi i debatit dhe proagandës së Beogradit, përmes lajmeve të rrejshme, duke shfrytëzuar konceptin e ashtuquajtur “çnjohje”, është ringjallur me qëllim të krijimit të konfuzionit në opinionin publik, në kohën kur vendi ynë po kalon në periudhë tranzicioni të konsolidimit institucional pas zgjedhjeve të mbajtura muajin e kaluar.
Megjithëkëtë, në lidhje me pretendimet se disa shtete mund të marrin vendim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, MPJD ju bën të ditur se ato janë spekulime dhe pjesë e fushatës së Serbisë për të dëmtuar subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.
MPJD ka komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet njohëse, përmes kanaleve të saj diplomatike, diplomatëve të saj dhe përmes shteteve aleate, dhe dëshirojmë t’ju bëjmë të ditur se asnjë prej vendeve që janë përfolur nga mediat serbe, as që e kanë diskutuar mundësinë për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovës. /Gazeta Sinjali/