image MPJ i gëzohet zgjedhjes së Bayerit si raportues për Kosovën në KE

Kosovë

Fitorja/ MPJ i gëzohet zgjedhjes së Bayerit si raportues për Kosovën në KE

news image

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i është gëzuar fitores së diplomatit gjerman, Peter Bayer, i cili sot u zgjodh në pozitën e raportuesit për Kosovën në Këshillin e Evropës, përballë ish-spiunit rus, Aleksey Kondratyev.

MPJ thotë se zgjedhja e Bayer është fitore për institucionet dhe diplomacinë e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Deputeti Bayer, i cili vjen nga partia CDU, është zgjedhur të enjten me shumicë absolute votash si raportues i ri për Kosovën nga Komisioni për Politikë të Jashtme e Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kondratyev si person kishte të kaluar kriminale gjate misionit të tij në Kosovë. Duke pasur parasysh se vjen nga Rusia, një shtet që përkrahë Serbisë punon hapur kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, fitorja e sotme e diplomatit gjerman në Këshillin e Evropës është edhe fitore për institucionet, diplomacinë dhe miqtë e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Sipas njoftimit, zgjedhjes së raportuesit të ri për Kosovën i ka paraprirë debati agresiv i delegacionit rus i cili duke u thirrur në aktin se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës ka kërkuar përjashtimin nga dhoma e takimit të Ambasadores Mimoza Ahmetaj, gjë që është kundërshtuar nga kryetarja e Komisionit.

“Rezultati i votimit 33 me 6 për diplomatin gjerman, është po ashtu tregues se ndikimi i Rusisë brenda Këshillit të Evropës është minor dhe i papërfillshëm kur bëhet fjalë për agjendën evropiane, pasi shumica e shteteve anëtarë të këtij këshilli e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe mbështesin rrugëtimin e tij euro-atlantikë”, thekson njoftimi. /Gazeta Sinjali/