Pas takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Torino të Italisë, përveç Shqipërisë, përmes një postimi anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion i ka dhënë mbështetje edhe Kroacia.
Ministria e Punëve të Jashtme ka shkruar se Këshilli i Evropës duhet të jetë i hapur për vendet që ndajnë vlera të njëjta me të, e këtu radhiti Kosovën.
“Dyert e Këshillit të Evropës duhet të jenë të hapur për anëtarësim të atyre demokracive evropiane që ndajnë vlerat e Këshillit të Evropës dhe janë të gatshme të përmbushin kriteret e anëtarësimit. Në këtë drejtim, Kroacia mbështet aplikacionin për anëtarësim të Kosovës”.
Përveç Kroacisë, anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës e kërkoi edhe Shqipëria. Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, e cila ishte pjesë e kësaj mbledhje, përmes një postimi në Twitter ka treguar se ka folur për çështjen e Kosovës.