Roma do të luajë sonte në finalen e Ligës së Konferencës UEFA ndaj klubit holandez Feyenoord, nga ora 21:00.
Trofeu i Ligës së Konferencës UEFA është më i riu i inauguruar nga Shtëpia Evropiane e Futbollit, dhe Tirana ka pasur fatin që të bëhet vendi i parë që do ta mirëpresë këtë finale.
Për Romën kjo mund të jetë një natë historike, ndërkohë që Jose Mourinho mund të mbahet përgjithmonë në mend nga tifozët romak.
Roma nuk ka fituar asnjëherë në histori të klubit një titull evropian dhe dhe nuk ka fituar një trofe që nga viti 2008.
Hera e fundit kur klubi italian u kurorëzua me një titull ishte sezoni 2007-08, kur kishin triumfuar në finalen e Kupës së Italisë 2-1 ndaj Interit.
Ndërkohë, sa i përket titujve evropian, Jose Mourinho mund ta shkruajë historinë me klubin italian.
AS Roma nuk ka arritur asnjëherë një titull evropian, ndërkohë që kishte qenë pjesëmarrëse në dy finale por që kishin dështuar të triumfonin.
Finalja e parë evropiane e Romës ishte në sezonin 1983-84 në ‘European Cup, ku ishte mposhtur nga Liverpooli.
Ndërkohë që finalja e dytë erdhi në sezonin 1990-91 ku arriti finalen e ‘UEFA Cup’, por që gjithashtu ishte mposhtur, këtë herë nga Interi përmes dy ndeshjeve, pavarësisht se të parën e kishte fituar me rezultat 1-0, por të dytën humbi 2-0.
Në fakt, Roma kishte triumfuar në një finale evropiane, e cila quhej “Inter-Cities Fairs Cup”, e arritur në sezonin 1960-61, megjithatë kjo nuk llogaritet një trofe madhor evropian.
Pra, për Romën kjo mund të jetë një natë historike në histori të klubit.
Në rast të triumfit të sotëm, Roma përpos që do të arrinte një trofe për herë të parë në 14 vite, ata do të shtonin në kabinetin e tyre trofeun e parë evropian në histori të klubit.
Ndryshe, Roma është 9 herë fituese e Kupës së Italisë, 3 herë fituese e Scudettos dhe 2 herë fituese e Superkupës së Italisë.