Mbrëmë fshati Gradicë i Drenasit është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Në pyllin e këtij fshati, nga të shtënat me armë zjarri është vrarë 15-vjeçari me iniciale A.M. (emër i njohur për redaksinë) dhe është plagosur rëndë babai i tij Bekim Muja, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se motivi për këtë vrasje është një mosmarrëveshje që viktimat (i vrari dhe i plagosuri rëndë) kanë pasur me dy të dyshuar për një pronë publike.
Gazeta Sinjali mëson se i dyshuar për këtë rast përveç Xhafer Bardiqit, është edhe babai i tij.
Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, menjëherë pas të shtënave dhe ndodhen ende në arrati.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur një pushkë gjuetie dhe një veturë të tipit Golf 2, të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/