Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një rrahje të përgjakshme te rruga “Mon Balaj” në Prishtinë, ku një person është goditur me mjete të forta. Të dyshuarit kanë ikur pas konfliktit, ndërsa viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Sinjali ka mësuar se cilat janë dyshimet e para lidhur me rastin.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se motivet e sulmit kanë të bëjnë me rastin e rrëmbimit të 24-vjeçarit para disa ditësh në Tasligje të Prishtinës.
Viktima e rrahjes I.K., 47-vjeçar u gjet i gjakosur nga Policia e Kosovës që doli në vendin e ngjarjes pas marrjes së informacionit. Ai u godit me grushte e mjete të forta nga tre persona, njëri prej të cilëve ka pasur edhe armë zjarri në brez. Sipas burimeve të Sinjalit njëri nga të dyshuarit është Sh.M, i cili gjendet në arrati.
Detaje për rastin e rrëmbimit që dyshohet se lidhet me sulmin e 47-vjeçarit
Sinjali ka raportuar ditët e fundit për skenarin si në filma të rrëmbimit të 24-vjeçarit nga Prishtina, të cilin e vunë në grackë dy vajza, që e dorëzuan më pas te të dyshuarit. Fillimisht Policia nisi hetimet për dy persona të dyshuar, por që më pas pista u zgjerua, pasi u identifikuan edhe tre të dyshuar të tjerë.
Katër prej të dyshuarve Alver Baleri, Albin Hoxha (djali i Alverit), Meriton Krasniqi dhe Agon Krasniqi tashmë janë shpallur në kërkim policor dhe veprimet hetimore janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin, që të njëjtit të kapen dhe të zbardhet e vërteta e rrëmbimit.
Përveç identifikimit të të dyshuarve, Policia ka gjetur edhe veturën me të cilën u rrëmbye viktima. Pas veprimeve të marra nga hetuesit policorë, vetura Golf 7 është lokalizuar në qytetin e Podujevës, ku më pas është konfiskuar me qëllim të ekzaminimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.