image “Mos ma prek ma djalin”, rrëfimi i dy prindërve të nxënësve të përfshirë në përleshjen në Istog

Siguri

“Mos ma prek ma djalin”, rrëfimi i dy prindërve të nxënësve të përfshirë në përleshjen në Istog

news image

Martesa jashtë vendit e mësueses së klasës së pestë në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Trepça’ në Banjë të Pejës në komunën e Istogut, ka shkaktuar shumë telashe për nxënësit. Të premten, nëna e njërit nga nxënësit e kësaj klase denoncoi në Gazetën Sinjali një rast të dhunës në të cilin ishte i përfshirë djali i saj 10-vjeçar.

Nëna ka rrëfyer për Sinjalin se nxënësit janë pa mësuese tash e një muaj, teksa ka thënë se nxënësit kanë mbetur si ‘jetim’ dhe derën po ua hap vetëm kush po bën ‘rahmet’.

Ajo ka thënë se djali i saj të premten është rrahur dhe është sulmuar me gurë në sy nga shoku i tij i klasës dhe si pasojë është dashur që të shkojë në spital për të marrë trajtim mjekësor. Nëna e djalit thotë se rastin e ka paraqitur edhe në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Në redaksinë e Sinjalit ajo ka dërguar pamje ku shihet se si e gjen të mbyllur zyrën e drejtorit të shkollës, Nexhmedin Beqiraj, ndërsa në sallën e mësimdhënësve nuk e gjen askënd.

Ajo sillet nëpër hapësirat e shkollës e mllefosur, teksa kërkonte që dikush të jap përgjegjësi.

Sipas saj ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës menjëherë pasi ka përfunduar mësimi dhe nxënësi që e sulmoi djalin e saj, e kishte ngacmuar edhe herë tjera 10-vjeçarin.

Sipas saj, nxënësit e klasës së djalit të saj kanë mbetur që një muaj pa mësuese dhe po mbajnë vetëm disa orë me mësues zëvendësues, jo të rregullt.

Në këtë përleshje është përfshirë edhe vetë ajo, ndaj së cilës është hapur rast në Polici.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se dje nëna e viktimës dyshohet që e ka sulmuar fizikisht nxënësin i cili ia sulmoi djalin me gurë në sy. Ai i tha Sinjalit se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar dhe rasti është inicuar si “sulm”.

Gazeta Sinjali sot ka kontaktuar sërish me nënën e 10-vjeçarit për ta pyetur rreth rastit dhe e njëjta ka deklaruar se nxënësin tjetër e ka kapur për krahu dhe i ka kërkuar që mos ta ngacmojë më djalin e saj.

Kur kom hy në korridor të shkollës ish konë qaj që ia ka hi me gurë ngat djalit, edhe t’u e ngucë hala. Jom shku e kom kapë për krahu edhe i kom thanë “mos e prek ma djalin, sa herë me ta tërheq vërejtjen?” Edhe u afru mama jeme edhe nji punëtor e më kanë thanë zonjë qetësohu, edhe më kanë marrë me kanë ulë e ma as që e kam pa atë fmi”, tha ajo për Sinjalin.

Por Gazeta Sinjali ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë se çfarë ndodhi në hollin e shkollës ‘Trepça’, ku shihet nëna e djalit 10-vjeçar, teksa i afrohet nxënësit që sulmoi me gurë fëmijën e saj dhe e godet me dy duart , ndërsa stafi i shkollës përpiqen ta largojnë.

Sipas saj, drejtori i shkollës, Nexhmedin Beqiraj, nuk po e thotë të vërtetën kur deklaron se rasti ka ndodhur jashtë hapësirave të shkollës.

Edhe krejt ka rrejtë drejtori kur ka thanë që rasti ka ndodhë jashtë shkollës, se atij i ka djegë që nuk ka dalë para kamerave, që u kanë zyrja mshelë. Se kur e kanë lëndu djalin, drejtori u kanë në shkollë, por kur e ka hetu që unë jam aty i ka thanë djalit “tash po vjen mami”. A u mshefë, a ka shku sigurt në Istog nuk e di, veç mrena zyrës nuk e kom gjetë”, shtoi tutje ajo.

Nëna e djalit pohon se të gjitha këto i ka bërë të ditura në deklaratën që i ka dhënë Policisë, teksa thotë se me familjen e nxënësit tjetër nuk ka arritur që të kontaktojë, pasi që të njëjtit kanë thënë se kanë punë vetëm me organet kompetente.

Ndërkohë deklaron se ende nuk kanë arritur që të bisedojnë as me drejtorin e shkollës dhe të marrin një përgjigje se si ka ndodhur rasti.

Gjendja shëndetësore e 10-vjeçarit thotë se nuk është e mirë, pasi që sipas saj i është lënduar bebëza e syrit dhe si pasojë, fëmija po përdorë terapinë e parashkruar nga mjeku dhe duhet të bartë syze për gjashtë muaj.

Unë kam me e denoncu drejtorin edhe në Ministri të Arsimit. Në luftë kena pasë mësusa e jo sot mos me kanë në gjendje me gjetë nji mësuse që një muj ditë. Fëmijët si jetima herë jau çelë dikush derën, herë dikush. Ajo mësusja () i merr në mëngjes fëmijët edhe i lëshon në 10:30, e fëmijtë duhet me kanë në mësim deri në 12:30. Nuk jau mban orët e plota. I lëshon kur t’i teket”, ka thënë ajo për mungesën e mësueses së rregullt në klasë.

Por një version krejt ndryshe nga nëna e 10-vjeçarit e jep prindi i nxënësit tjetër, i cili thotë djali i tij është viktima në këtë rast.

Babai i nxënësit për Gazetën Sinjali ka thënë se djali i tij është bullizuar dhe ngacmuar nga nxënësi i cili ka pësuar lëndime në sy.

Ky djali ka shku edhe i ka ba gjeste të këqija djalit tem. Një shok i tij e ka lag me ujë edhe djali jem u rrëzu në tokë në klasë. Djali jem e ka deshë maicën edhe xhemperin edhe ka nejtë veç në jakne se teshat i ka pasë të lagta me ujë. Edhe mas shkollës janë kanë tu lujtë me borë, ai e ka rrëzu djalin tem edhe e ka gjujtë me borë, po ato video po i mshefin se ato video kanë ndodhë në oborr të shkollës“, ka pohuar ai.

Njëjtë si nëna e 10-vjeçarit, edhe babai tjetër pohon se rasti ka ndodhur në oborr të shkollës dhe shumë shpejt do të dalin pamjet të cilat vërtetojnë atë se çka thotë lidhur me rastin.

Ai ka deklaruar se nuk ndihet i sigurt ta dërgojë djalin e tij në shkollë, pas sulmit që iu bë nga nëna e shokut të tij të klasës.

Me hy nji gru me sulmu fëmijën 10 vjet në shkollë edhe Policia e Gjykata me liru, kjo është tmerr. Na tanë jemi kanë fëmijë edhe krejt fëmijët rrahen mes veti, po me hi prindi me sulmu brenda në shkollë e me ofendu me fjalët “magjup, ty duhet me të heqë prej shkolle” edhe me sulmu fizikisht e mos me reagu Policia e Gjykata, është tmerr”, tha ai për Sinjalin.

I njëjti ka kritikuar mungesën e mësueses, duke thënë se të gjithë prindërit kanë qenë të njoftuar se ajo shumë shpejt do shkojë të jetojë jashtë vendit, por që sipas tij drejtori nuk ka marrë masa.

Ai thotë se prindërit kishin vendosur që mos t’i lejojnë fëmijët të shkojnë më në shkollë pa mësuese.

Mësuesja u feju në Itali edhe për këtë gjë na prindërit jemi kanë në dijeni. Mësuesja na ka njoftu se shumë shpejt do të largohet nga shkolla e drejtori as që ka hap  konkurs. Këta nxënës prej që kanë mbet pa mësuese, veç probleme bojshin në klasë. Edhe na gjithë prindërit patëm vendosë që mos me i lanë ma fëmijtë me shku në shkollë pa mësuese”, tha ai.

Çka deklaroi drejtori i shkollës lidhur me rastin?

Ndryshe nga Policia, e cila bëri të ditur se rasti ka ndodhur në shkollën ‘Trepça, ka deklaruar drejtori i shkollës, Nexhmedin Beqiraj. Ai  ka mohuar që ngjarja të ketë ndodhur brenda hapësirave të shkollës, për çka ata nuk marrin përgjegjësi.

Nxënësi i cili ka sulmuar shokun e klasës e kishte përfunduar mësimin. Kur kanë dalë jashtë oborrit të shkollës, ata janë konfrontu, janë ngacmu mes veti. I kemi shiku kamerat bashkë me Policinë, por nuk është pa të ketë ndodhur përleshja brenda oborrit të shkollës. Si rrjedhojë ne nuk mund të marrim përgjegjësi se çka ndodh jashtë hapësirave të shkollës“, tha Beqiraj të premten për Sinjalin.

Ndërsa mungesën e tij gjatë kohës kur nëna e 10-vjeçarit filmonte, ai e arsyeton duke thënë se kishte pasur ‘punë’ në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komunën e Istogut.

Drejtori i shkollës ‘Trepça’ ka mohuar të gjitha pretendimet e nënës së 10-vjeçarit, se klasa është pa mësuese që një muaj.

Ai ka thënë se mësuesja e klasës ka shkuar të jetojë jashtë vendit, por që atëherë nxënësit vijojnë mësimet me një një mësuese zëvendësuese e cila vullnetarisht ka marrë klasën përsipër derisa të caktohet një mësimdhënës i rregullt.

Mësuesja ka shku jashtë vendit edhe unë menjëherë e kam angazhu një mësuese tjetër edhe e kom vendosë klasën paradite që me u zëvendësu edhe me u mbajtë mësimi. E njëjta mësuese mban mësim me klasën e nxënësve në fjalë nga ora 08:00-11:30 dhe më pas vazhdon mësimin prej orës 13:00 me klasën e saj. Këtë punë ajo po e bën në mënyrë vullnetare“, tha Beqiraj për Sinjalin.

Teksa bëri të ditur se vazhdon të jetë i hapur konkursi për të plotësuar pozitën e mësuesës që shkoi të jetojë jashtë shtetit.

Në lidhje me rastin e përleshjes së nxënësve, Policia ka deklaruar për Sinjalin se është njoftuar punëtori i Qendrës për Punë sociale, ndërsa prokuroi ka udhëzuar që rasti të inicohet ‘lëndim i lehtë trupor’ dhe të dërgohet me raport për shkak të moshës së nxënësve që janë nën 14-vjeç.

/GazetaSinjali/