Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit N.L. pasi që i njëjti dyshohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Gjykata bën të ditur se i akuzuari N.L. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01 gusht 2018 e tutje, por, jo më shumë se dënimi i shqiptuar, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Konform nenit 367 paragrafi 7 të KPPK-së të akuzuarit N.L i është vazhduar masa e paraburgimit e cila do të zgjasë derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.