image Moret: Falë diasporës shqiptare, Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë

Kosovë

Moret: Falë diasporës shqiptare, Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë

news image

Ushtruesja e detyrës së presidentit, njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim sot presidenten e Këshillit Kombëtar Zviceran, Isabelle Moret, me të cilën ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve mike dhe rolin e diasporës që luan në këtë proces.

Osmani ka falënderuar Moret për përkrahjen e shtetit të saj për popullin e Kosovës, duke thënë se kjo vizitë njëherësh është edhe riafrim i miqësisë ndërmjet dy vendeve.

“Ne e shohim këtë vizitë ri-afirmim të miqësisë të popullit të Kosovës dhe atij të Zvicrës, dhe marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy shteteve tona. Gjatë këtij takimi kam falënderuar Zvicrën për rolin dhe mbështetjen historike që i ka dhënë Kosovës gjatë kohës së luftës kur populli ynë bëri sakrifica të mëdha e deri më tash”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë në këtë takim se u diskutua edhe për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rolin që luan diaspora shqiptare në Zvicër.

“Ne biseduam edhe për bashkëpunimin ndërparlamentar i cili është tejet i nevojshëm dhe do të shohim mundësitë e avancimit të tij të mëtejmë edhe ndërmjet dy parlamenteve tona. Diskutuam edhe për situatën me COVID-19, dhe i jam shumë mirënjohëse kryetares e cila ofroi ndihmën e Zvicrës në këtë drejtim. Ne diskutuam edhe për rolin që luan diaspora në Zvicër, jo vetëm për suksesin e tyre në ekonomi, futboll, por po ashtu edhe për atë se si ajo mund të shërbejë si urë-lidhëse, në mënyrë që ky potencial i jashtëzakonshëm i tyre të shfrytëzohet maksimalisht për zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve”, tha Osmani.

Ndërsa, presidentja e Këshillit Kombëtar Zviceran, Isabelle Moret ka thënë se falë numrit të madh të diasporës shqiptare në Zvicër, ky shtet është investitori i dytë më i madh në Kosovë, ndërsa ka shtuar se një nga prioritetet e shtetit zviceran është ndihma për zhvillimin e Kosovës.

“Zvicra ka një diasporë nga 180 deri 250 mijë kosovarë. Ata investojnë në Kosovë dhe marrin pjesë në jetën politike në Zvicër. Për shembull, kemi një kryetare të parlamentit të kantonit që vjen nga Kosova. Falë kësaj diaspore, Zvicra është investitori i dytë i madh në Kosovë. Kosova për ne është një ndër vendet prioritare për ndihmën në zhvillim, ku kemi rreth gjysmë miliard franga që janë investuar në Kosovë prej vitit 1998. Ndihma e qytetarëve të Kosovës dhe gjeneratave të ardhshme është në zemër të aksionit tonë dhe e kam për detyrë me delegacionin tim të vizitoj këto komuna për të parë që këto para dhe këto projekte janë zhvilluar mirë”, ka thënë Moret.

Ndryshe, Moret pas takimit me Osmanin, ka vizituar edhe Komisionin parlamentar i cili merret me menaxhimin e pandemisë COVID-19. /Gazeta Sinjali/