Sulmuesi anglez, Marcus Rashford, ka treguar aftësitë e tij alla-Cristiano Ronaldo në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Euro 2020 që Anglia e zhvilloi kundër Kosovës mbrëmë në Prishtinë.
Anglia ishte kualifikuar tashmë në Euro 2020. Ndeshja e mbrëmshme ishte thjesht një formalitet por Anglia refuzoi ta linte intensitetin e tyre të binte duke fituar bindshëm.
Sulmuesi i Manchester Unitedit ishte i jashtëzakonshëm pas inkuadrimit në pjesën e dytë me një shfaqje që të kujtonte shumë nga ditët e arta të Cristiano Ronaldos, kur portugezi dhuronte spektakël me fanellën e klubit anglez, shkruan Gazeta Sinjali.
22-vjeçari u nis disa hapa para, përpara se ta përdorte një ‘sprint’ të shpejtë dhe t’ia fuste topin në mes këmbëve Mergim Vojvodës, i cili mbeti në vend. Ai pastaj vazhdoi vrapimin mbresëlënës duke e kthyer topin me thembër për ta kaluar edhe Besar Halimin, i cili u rrëzua.
Anglia fitoi ndeshjen me rezultat 4:0. Vetë Marcus Rashford u fut në listën e golashënuesve, pasi shënoi në minutën e 83–të të ndeshjes. Harry Winks, Harry Kane dhe Mason Mount ishin golashënuesit e tjerë të Tre Luanëve.
Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer do të shpresojë ta shohë Rashfordin në këtë formë me Djajtë e Kuq. Manchester United po shpreson të rikthehet në top katërshen e Premier League për të luajtur në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. /Gazeta Sinjali/