Personi që shfaqet në videon e mëposhtme është Alfred Kipe, një shqiptar 42-vjeçar, me banim në Milano, i cili shihet pikërisht afër vendit ku të dielën u gjet e masakruar me thikë 47-vjeçarja shqiptare, Luljeta Heshta.
Hetuesit italianë dyshojnë se autori i vrasjes është Kipe, i cili bashkëjetonte prej të paktën 20 vitesh me Heshtën. Videoja, ku shfaqet 42-vjeçari që ecën me duar në xhepa, po analizohet nga ekspertët, ndërsa dëshmitarët konfirmojnë se e kishin parë Kipen në rrugë, me një qetësi sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërsa gjatë rrëfimit në polici ai nuk e pranoi krimin.
Shkaqet e vrasjes me 5 goditje me thikë ende mbeten të paqarta, por hetimet janë përqendruar te xhelozia dhe te marrëdhënia ekonomike, pasi dyshohet se 47-vjeçarja ishte prostitutë në Milano.