Ajri në kryeqytet është rikthyer të jetë vdekjeprurës, siç po ndodhë rëndom në Kosovë gjatë dhe para stinës së dimrit.
Momentalisht, Prishtina renditet në top dhjetëshen e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë, shkruan Gazeta Sinjali.
Pakistani, India, Bangladeshi, Vietnami, Kina, Mongolia e Nepali janë shtetet e vetme ku ajri është më i ndotur sesa në Kosovë.
Sipas matjeve momentale, norma e cilësisë së ajrit në Prishtinë është 162, që konsiderohet i pashëndetshëm.
Për ajrin e pashëndetshëm në kryeqytet sot kanë alarmuar edhe katër monitorët e vendosur për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë.
Cilësia e tmerrshme e ajrit gjatë dimrit ishte përcjellur edhe me protesta të banorëve të Prishtinës.
Ndonëse sipas Komunës së Prishtinës ende nuk dihen shkaktarët e vërtetë të ndotjes së ajrit, shumë banorë mendojnë se qymyri që përdoret me shumicë gjatë dimrit, është shkaktari kryesor i ndotjes.
Sipas një raporti të vitit të kaluar të publikuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit, Kosova kryeson në Evropë për vdekjet nga ndotja e ajrit /Gazeta Sinjali/