Në Projektligjin e ri për sport që po hartohet nga ana e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndër të tjera parashihet edhe trajtimi i kontributit të sportistëve të viteve të 80-ta dhe 90-ta, përkatësisht kompensimi i tyre.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani duke thënë se kjo ishte një kërkesë e vjetër e komunitetit sportiv.
“Një risi e veçantë që ligji po ashtu krijon bazë për njohjen e kontributit të ish-sportistëve dhe trajnerëve të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë gjatë kohës së okupimit gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta në Kosovë, një kërkesë e kamotshme e komunitetit sportiv, tashmë kemi krijuar bazë e cila më në detaje do të shtjellohet edhe përmes akteve nënligjore të cilat do të hartohen në momentin që ligji do të votohet në parlament”, ka thënë Osmani.
Një nismë e tillë po mirëpritet nga trajnerë dhe sportistë të asaj periudhe kohore duke thënë se shumë sportistë të asaj gjenerate ndodhen në kushte të mjerueshme ekonomike.
Trajneri dhe analisti i futbollit, Driton Latifi thotë se njohja e kontributit të tyre do të ishte një satisfaksion i madh për gjeneratën në fjalë.
“Dhe dinjiteti që e kanë njerëzit e sportit që e kanë pasur gjatë viteve të 90-ta sigurisht që nuk është shpaguar sa duhet, nuk ka pasur trajtimin dhe kujdesinë duhur të autoriteteve apo institucioneve të duhura të vendit dhe mendoj se një arsyetim dhe përkrahje, një shpagim në një formë apo tjetër, çfarëdo qoftë ajo, nuk do të thotë që duhet të ketë një vlerë nominale, edhe pse shumë prej tyre janë në një situatë mjaftë të rënduar sociale që jetojnë që jetojnë edhe dita e ditës, unë besoj që do të ishte një satisfaksion, një kënaqësi shumë e madhe”, ka thënë Latifi.
Derisa kujton disa nga momentet më të vështira nëpër të cilat kanë kaluar, ish-futbollisti Alban Krasniqi ka thënë për KosovaPress se shteti duhet të bëjë më shumë për atë gjeneratë të artë e cila në një formë edhe i ka bërë ballë edhe regjimit të atëhershëm.
“Unë besoj shumë që edhe ministria edhe të gjitha organet kompetente do të bëjnë të pamundurën dhe më të mirën të mundshme që atë gjeneratë sa do pak ta kundër shpërblejnë për mundin, për sakrificën që është bërë në vitet e 90-ta. E dimë të gjithë që një pjesë e madhe e sportistëve të atëhershëm janë në gjendje të mjerueshme financiarisht por edhe kushtet e përgjithshme janë shumë keq. Për atë arsye do të ishte mirë që ajo gjeneratë të kundër shpërblehej edhe sa do pak të kenë një mirëqenie në ditën e sotme…Sinqerisht janë të lënë pas dore, janë në gjendje jo të mirë financiare, për atë arsye duhet bërë ç’mos nga organet kompetente nga Ministria e Sportit, por edhe shteti në përgjithësi që të mendojnë pak më shumë për gjeneratën e artë edhe gjeneratën që i bëri ballë regjimit të atëhershëm edhe kanë dhënë një kontribut shumë të madh ”, theksoi Krasniqi.
Madje, ish-basketbollisti Arianit Shala, konsideron se marrja me sport në atë kohë ishte njëra nga format e rezistencës ndaj okupatorit serb. Andaj, njohja e atij kontributi nga ana e shtetit do të ishte shumë e mirëseardhur.
“Gjatë okupimit të viteve 90-ta nga regjimi atëhershëm serb, siç e dimë si popull shqiptar i Kosovës jemi organizuar në rezistencë në forma të ndryshme, andaj si njëra prej formave të rezistencës është në këtë rast edhe sporti i Kosovës. Kështu që mendoj se duke u bazuar në kontributin e jashtëzakonshëm që ka qenë në përgjithësi i sportit, e tani më për së afërmi që kam qenë i kyçur dhe jam në basketboll, kontributi i jashtëzakonshëm ka qenë i gjeneratës së atëhershme të klubeve të basketbollit, federatës së basketbollit dhe klubeve në përgjithësi, andaj një rishikim i ligjit për sport ku do të kishte kompensime financiare apo forma të ndryshme, do të thitë njohje e kontributeve të atëhershme, atëherë sigurisht do të ishte e mirëseardhur për sportistët në përgjithësi. E dimë që një pjesë e madhe e sportistëve nuk qëndrojnë mirë duke pasur parasysh anën financiare”, ka thënë Shala.
Ndryshe, projektligji i ri për sportit pritet shumë brenda pak javëve të hidhet në votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës./KP/.