Mjeku radiolog në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Sylejman Krasniqi ka publikuar pamje të mushkërive të pacientëve me simptoma të COVID-19.
Krasniqi ka uruar që këto imazhe t’u shërbejnë të gjithë pesimistëve për të besuar se ka virus. “Pandemi ka dhe situata nuk është e mirë!”.
“COVID-19 ju dëshiron fundjavë të këndshme….!!!
Për te gjithë ata që maskat i kanë veç si dekorim, për ata që distancën sociale e kanë diçka të huaj dhe për të gjithë ata që nuk i respektojnë këshillat e Insitucioneve Relevante Shendetësore, këto imazhe le të ju shërbejnë që ta kuptoni se megjithatë virus ka, Pandemi ka dhe situata nuk është e mirë! Larg asaj që duhet mbjellur panik apo frikë. A është virus apo çka dreqin është: AI LUFTOHET! Prandaj kujdes: PËRGJEGJËSIA E SECILIT NGA NE ËSHTË INDIVIDUALE POR KATASTROFA MUND TË JETË GLOBALE!”, ka shkruar ai.
Më tej, ai ka treguar sesi i ka përzgjedhur rastet në fotografitë e mushkërive të paraqitura.
“Imazhet e paraqitura janë radiografi të mushkërive të pacienteve tanë gjatë ditëve të fundit, pacientë me simptome të COVID-19. Janë zgjedhur raste nga disa grupmosha, në të majtë keni një radiografi normale e në të djathtë radiografinë me ndryshimet radiologjike të pneumonisë virale (COVID-19) por nga pacientë të moshave të ndryshme! Më poshtë është shënuar gjinia dhe mosha e pacientit!”, ka shkruar Krasniqi.
Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) sot ka konfirmuar edhe 220 raste të reja me koronavirus. Numri i rasteve aktive ka shkuar në 3 mijë e 86. Numri total i rasteve pozitive është 7 mijë 137 raste nga 34 mijë e 316 persona të testuar.
Deri më tani, 177 kanë vdekur duke e humbur betejën me COVID-19 në Kosovë. /Gazeta Sinjali