Në vitin 2018-të, Kosova regjistroi produkt të brendshëm bruto mbi 6 miliardë e gjysmë, me një rritje reale ekonomik mbi 3.8 përqind, apo më e ulët në katër vitet e fundit.
Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës sikurse në 2017-ën u bënë më të “pasuar” për 50 centë në ditë, si më të varfëritë në rajon.
Në raportin e ASK thuhet se BPV me çmime aktuale në vitin 2018 ishte 6 miliardë e 725.9 milionë euro.
Rritja reale në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017, ishte 3.82 përqind. Ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin 2018 ishte 3 mijë e 746 euro.
Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kontribuuan në këtë rritje.
“Rritje reale për vitin 2018 kishte në këto aktivitete ekonomike: aktivitetetet financiare dhe të sigurimit (17.9%); administrimi publik dhe i mbrojtjes, sigurimi i detyrueshëm social (9.5%); ndërtimtaria (9.3%); shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale (8.1%); tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave (7.6%); informimi dhe komunikimi (5.1%); industria nxjerrëse (4.2%); transporti dhe magazinimi (4.1%); edukimi (3.9%); aktivitetet administrative dhe mbështetëse (3.9%); industria përpunuese (3.4%); hotelet dhe restorantet (2.9%); afarizmi me pasuri të patundshme (2.8%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (2.7%); arti, zbavitja dhe rekreacioni (2.3%); shërbimet e tjera (1.4%); dhe furnizimi me ujë (0.6%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa, rënie kishte në këto aktivitete: bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim -10.6 përqind; dhe furnizim me energji elektrike, dhe me gaz -3.4 përqind.
“Rritja reale sipas komponentëve kryesorë të BPV-së me qasjen e shpenzimeve për vitin 2018 ishte te: Importi i shërbimeve (22.5%); shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (8.9%); importi i mallrave (6.5%); formimi i bruto kapitalit fiks (6.1%); eksporti i shërbimeve (5.5%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake (4.8%); shpenzimet e konsumit final të IJPSHESH (4.0%)”.
Kurse, rënie kishte te eksporti i mallrave -2.0 për qind. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për vitin 2018, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve bazuar në ESA 2010.
Raporti i BPV për vitin 2018-të, në krahasim me raportin e njëjtë të vitit 2017-të tregon se kemi një rënie të rritjes ekonomike, dhe kemi një rritje të të BPV-së për kokë banori dhe kjo paraqet nje trend të njëjtë rritës të ‘pasurimit’ të qytetarëve prej 180 euro më shumë në vit, apo 50 centë në ditë.
Në raportet vendore dhe ndërkombëtare, BPV për kokë banori është me e ulët në Kosovë në raport me vendet e rajonit.