Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë së Shqipërisë, tha se janë identifikuar të gjitha shkollat që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit, ku si pasojë mbetën të vdekur 51 persona.
Shahini tregoi edhe dy mundësitë që po mendohen për kohën e rinisjes së procesit mësimor, por që asnjëra prej tyre nuk parashikon që të hënën të nisë mësimi.
“Ka nevojë për pak kohë për riparimin e shkollave, është identifikuar numri i atyre institucioneve që kanë pësuar dëme. Në 26 nëntor drejtorët e shkollave apo dhe të drejtorive Arsimore kanë identifikuar numrin e shkollave që kanë paraqitur ndonjë shqetësim. Më 27 nëntor inspektorët kanë bërë inspektime dhe më 28-29 inxhinierë nga Kosova kanë inspektuar shkolla në Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Më 30 nëntor kemi bërë analizën mbi situatën në fjalë. Nuk mendoj se në Durrës është koha që të fillojmë të hënën. Edhe Tirana dhe Lezha kanë nevojë për disa rregullime”, tha Shahini./Gazeta Sinjali/