image Ministrja Hajdari: Të përgatitemi të mos dështojë zbatimi i masave të reciprocitetit me Serbinë

Politikë

Ministrja Hajdari: Të përgatitemi të mos dështojë zbatimi i masave të reciprocitetit me Serbinë

news image

Autoritetet qeveritare në Kosovë thanë të hënën se janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për ngritjen e mundësive institucionale që mundësojnë zbatimin e plotë dhe funksional të masave të reciprocitetit tregtar me Serbinë.

Këto komente u bënë gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me “barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se Serbia nuk e njeh origjinën e prodhimeve të Kosovës, duke i penguar eksportet.

Pra Serbia nuk e njeh asnjë certifikatë nga Kosova dhe nuk kërkon asnjë certifikatë sepse nuk dëshiron ta njeh shtetësinë e Kosovës dhe po ashtu nuk kërkon certifikatën fitosanitare”, tha ajo.

Ministrja Hajdari tha se aktualisht institucionet janë duke bashkërenduar veprimet për t’ju përgjigjur qasjes së Serbisë.

Ne jemi të zotuar që të zbatojmë reciprocitetin, por gjithmonë kjo kërkon sukses në terren dhe përgatitje logjistike në terren dhe po ashtu është edhe në koordinim të afërt me kryeministrin Kurti, i cili e ka edhe aspektin politik që e shqyrton se si më së miri të adresohen, prandaj në koordinim ndërqeveritar dhe institucionet duhet të jemi të përgatitur shumë mirë që të mos na dështoj zbatimi i ndonjë mase të reciprocitetit në terren”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, kritikoi qeverinë për mosveprim, shkruan Zëri i Amerikës.

E kemi pritur një rezultat më të fuqishëm në relacion me reciprocitetin ndoshta kemi gabuar por kështu është përgatit opinioni se ne do të kemi një reciprocitet të fuqishëm dhe transparent në raport me problemet që kemi me Serbinë dhe nga retorika juaj, tash po e shoh që po insistoni me disa vendime parciale, dytësore të produkteve ndaras, po dëshironi të gjeni një rrugë të dytë për t’i ikur vendimit të madh të reciprocitetit”, tha ai.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se me Serbinë duhet të gjenden masa kreative për të zgjidhur problemet tregtare para se të veprohet me masa të reciprocitetit.

Barrierat jotarifore prej natyrës janë të fshehta dhe shtetet i aplikojnë diku në mënyrë sistematike e diku të rastit dhe nëse të tjerët aplikojnë ndaj neve, ne duhet të gjejmë mënyra kreative me i aplikuar pa pasur nevojë që të bëhen vendime, diku i vonon do produkte më shumë, diku nuk i len inspektorët sanitarë dhe fitosanitarë”, tha ai.

Shoqatat e bizneseve në Kosovë thanë se shumica e barrierave dhe sfidave të këmbimeve tregtare me Serbinë kanë ngjyrime politike.

Qeveria e Kosovës u ka dërguar një letër udhëheqësve të shteteve evropiane për t’i informuar me shkeljet që po i bën Serbia në marrëdhëniet tregtare me Kosovën dhe arsyeve përse po shqyrtohen masat e reciprocitetit nëse Serbia nuk heq barrierat ndaj mallrave të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti në mandatin e parë, në vitin 2020, vendosi masat e reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë si zëvendësim të tarifave prej 100 për qind që ishin vendosur në vjeshtën e vitit 2018. Veprimi i tij bllokoi përpjekjet për ripërtëritje të bisedimeve me Serbinë duke ngjallur reagimin e bashkësisë ndërkombëtare por edhe ish partnerit të zotit Kurti në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u bë edhe shkak për rrëzimin e qeverisë së parë të zotit Kurti në muajin mars të vitit të kaluar.

/GazetaSinjali/