Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se do të vazhdojë aksionet për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
Përmes një reagimi në Facebook, ministria ka theksuar se mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndërsa tashmë ka nisur shqyrtimin e kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për rikthimin e pronave të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.
Sipas ministrisë, aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte pa leje në prona të administruara nga ndërmarrja “Ibër-Lepenci”, është vetëm një nga hapat e planifikuar.
MMPHI ka bërë të ditur se të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht, në përputhje me procedurat ligjore.
Ndërkohë, po shqyrtohen me intensitet edhe rastet e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje përreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, të cilat konsiderohen burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm.
Inspektorati po vazhdon identifikimin e shkeljeve në këto zona, ndërsa pas përfundimit të procesit pritet të ndërmerren masa ligjore për rikthimin e hapësirave në funksion të interesit publik.
Ministria ka njoftuar se monitorimi do të vazhdojë edhe në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, duke ritheksuar se do të veprojë kundër çdo forme të uzurpimit dhe ndërtimit të paligjshëm në pronat ujore dhe natyrore të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!