image Ministria e Arsimit bie nga sistemi, nxënësit mbajnë shënime

Kosovë

Mësimi/ Ministria e Arsimit bie nga sistemi, nxënësit mbajnë shënime

news image

Gati një muaj prej fillimit të vitit të ri shkollor, në shkollat e mesme të Kosovës ende mungojnë librat për klasët e 10-ta dhe të 11-ta.

Nxënësit e këtyre klasave po detyrohen të mbajnë shënime në fletore si në vitet e ’90-ta, pasiqë nuk mund t’i gjejnë askund tekstet e reja shkollore që u nevojiten, të paralajmëruara se do të dalin sivjet në shitje.

Ata madje nuk e dinë as si duken kopertinat e këtyre librave, përgjegjësinë për mungesën e të cilave ka tentuar ta largojë nga vetja Ministria e Arsimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo ministri kishte reaguar për këtë çështje vetëm pas raportimit të Gazetës Sinjali për mungesën e librave.

MASHT-i thoshte se e ka publikuar listën përfundimtare të teksteve të reja shkollore në faqen zyrtare të ministrisë që prej qershorit.

Por, përkundër njoftimit të MASHT-it, as nxënësit e as prindërit nuk mund të hyjnë në web-faqen e kësaj ministrie, pasi ajo ka rënë nga sistemi dhe është jashtë funksionit qe disa ditë ndonëse interesimi për librat e rinj është shtuar tani për shkak të mungesës së tyre, gjë që nuk e kishin pritur.

Web-faqja jofunksionale e Ministrisë së Arsimit

“Raportimi në media se mësimdhënësit e shkollave të mesme ende janë në hamendje se me çfarë librash duhet të shërbehen nxënësit, nuk qëndron, sepse MASHT ka publikuar listën përfundimtare të teksteve të reja shkollore (edhe për klasën 10 dhe 11), në faqen zyrtare të Ministrisë më datën 18 qershor 2019. Pra, që nga kjo datë, është e njohur për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë qytetarët se cilat tekste do të përdoren nga ky vit shkollor”, thuhej në reagimin e MASHT-it.

Megjithatë, nuk është se u hyn në punë nxënësve ta shohin as listën e librave që ministria tha se do të përdoren sivjet, pasi që asnjërin nga ta nuk mund ta kenë në çantë. Sa kohë do të zgjas mungesa e librave? As këtë nuk mund ta dinë.

Zyrtarët e kësaj ministrie kishin heshtur për disa ditë rreth mungesës së librave, duke mos u përgjigjur në pyetjet e dërguara nga redaksia e Gazetës Sinjali. Ata kishin vendosur të flasin vetëm të premten, tek pas raportimit kritik të Gazetës lidhur me injorimin që ky institucion e ka bërë ndaj publikut, e sidomos ndaj nxënësve të cilët ende nuk kanë libra, ndonëse po bëhen gati një muaj prej se ka nisur mësimi. /Gazeta Sinjali/