image Ministria dhe SHSKUK heshtin për dyshimet për manipulime në konkursin për infermierë - Sinjali

Ministria dhe SHSKUK heshtin për dyshimet për manipulime në konkursin për infermierë

news image

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka hapur konkurs në muajin shtator për pozitat: infermierë, mami, laborantë, teknikë e logopedë. Për tu punësuar si pediatër ose mami kriter ka qenë vetëm përfundimi i shkollës së mesme. Ndërsa personat që kanë përfunduar studimet nuk janë lejuar t’i dorëzojnë dokumentet. E për këtë as Ministria e Shëndetësisë as ShSKUK nuk kanë kthyer përgjigje.

Ministria e Shëndetësisë kishte kërkuar vetëm shpallur konkurs për punonjës shëndetësor në ShSKUK. E të gjithë ata që u punësuan nga ky konkurs, patën kontrata tremujore.

Pas përfundimit të këtyre kontratave, ShSKUK ka shpallur konkurs për të njëjtat pozita. Por, kriter për pozitat mami e pediatër ka qenë përfundimi i shkollës së mesme. Të gjithë ata që i kanë pasur edhe studimet të përfunduara, nuk janë lejuar t’i dorëzojnë dokumentet.

Ky dallim i kritereve ka ngjallur pakënaqësi te personat që kanë synuar punësimin në këtë institucion.

Një nga ta, për Sinjalin, ka thënë që ky konkurs është i padrejtë.

Unë jam punësu prej Ministrisë së Shëndetësisë për tre muaj, sepse e kanë kërku veç shkollën e mesme. Kur ShSKUK ka shpallë konkurs, kam apliku, po s’mi kanë pranu dokumentet se m’kanë thanë që se kam fakultetin e krym. Kriteri për përfundim të fakultetit është standard i dyfishtë“, ka thënë ai.

Madje ky burim thotë që ka ‘dallavere’ në këtë konkurs.

“Ka dallavere n’këtë konkurs se po dojnë me i punësu njerëzit e vetë. Kanë kry fakultet çfaredo e pranohen se kanë njerëz”, ka thënë ai.

Për këtë konkurs kanë reaguar edhe nga Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës.

Ata përmes një reagimi, kanë thënë që kanë dyshime se njerëzit e afërt të drejtorisë së ShSKUK-së kanë manipuluar me këtë konkurs.

Por me njerëzit e afërt me drejtorinë e SHSKUK nga ish klinika e tij, ne kemi dyshime të mëdha për manipulime, shto ktu faktin që mungojnē monitorues edhe nga Shoqatat e Infermierëve”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë që pjesëmarrja e tyre ka vetëm një qëllim: “të parandalohen dallaveret dhe parregullsitë që janë bërë në të kaluarën”.

Jemi që njerëzit e afërt me drejtorinë të rrijnë larg nga konkurset”, thuhet mes të tjerash.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në, mirëpo nga asnjëra palë nuk ka pranuar përgjigje, ndonëse ka provuar më shumë se një herë. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin