Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri kosovar i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se SHBA-ja do të largojë vizat për kosovarët që duan të udhëtojnë në Amerikë, përmes programit “Visa Waiver”.
Selimi thotë se për këtë delegacioni kosovar ka marrë zotimin e ambasadorit Richard Grenell dhe këshilltarit të presidentit Donald Trump, Robert O’Brien.
“Neve na u zotuan që do të hymë shumë shpejtë në ‘Visa Waiver Program’, në programin e heqjes së vizave për Amerikë, si dy shtete. E konfirmoj se do të hymë në programin VWP, ashtu u zotua edhe ambasadori Grenell edhe këshilltari O’Brien, që të dy do të kujdesen që të hymë në këtë program të vizave”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, ai thotë se programi VWP është proces në të cilin duhet të kalojë Kosovë, por megjithatë thotë se ky është një hap i madh drejt marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në./Gazeta Sinjali/