Ministri Drejtësisë, Selim Selimi është shprehur i shqetësuar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur dje në Kamenicë, ku dyshohet se një burrë mbyti bashkëshorten e tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Selimi ju ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të japin dënimin e merituar për këtë rast dhe së bashku me institucionet e sigurisë t’i trajtojnë çdo herë me urgjencë rastet e dhunës në familje.
“Dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave janë të papranueshme, në kundërshtim me të drejtat bazike të njeriut dhe si të tilla nuk do të tolerohen”, ka shkruar ministri në Facebook.
Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit N.M i cili dyshohet se privoi nga jeta gruan e tij me shufër metalike në fashtin Berivojcë të Kamenicës. /Gazeta Sinjali/