Udhëheqësit e qeverive të Ballkanit Perëndimor do të bëjnë përpjekjen e radhës për të çuar përpara iniciativën e Shengenit Ballkanik.
Ky nuk do të jetë një takim i ngjashëm si ato në Nish, Tiranë apo Ohër, por do të zhvillohet përmes platformës Zoom javën e ardhshme, raporton Top Channel, transmeton Gazeta Sinjali.
Mbetet me interes për t’u parë pjesëmarrja e Kosovës, kurse takimi nuk do të jetë ballë për ballë por online.
Kujtojmë se një prej pikave të marrëveshjes së firmosur nga kryeministri, Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë është edhe ulja në tryezën e bisedimeve të Shengenit Ballkanik.
Gjatë vizitës në Shkup, homologu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ia përsëriti ftesën kryeministrit Hoti, i cili tha se Kosova duhet të afrohet me iniciativën rajonale të Shengenit Ballkanik me qëllim që të jetë prioritet për rajonin, pa dallim të çështjeve të hapura politike.
Zaev në konferencën për shtyp, e konfirmoi takimin me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Rama.
Ky takim përmes Zoom mbart edhe disa pikëpyetje të tjera për përfaqësimin e Malit të Zi si dhe Bosnjës. /Gazeta Sinjali/