Mesditën e djeshme, shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka njoftuar se djali i saj 9-vjeçar është sulmuar nga qentë endacakë, derisa po hynte në oborrin e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Për shkak të kafshimit që kishte marrë nga qentë endacakë, i biri i saj 9-vjeçar ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku i ishte nënshtruar një intervenimi kirurgjik.
Mëngjesin e sotëm, Kusari – Lila ka publikuar një fotografi me djalin e saj dhe ka njoftuar se gjendja shëndetësore e tij është e mirë.
“Edoni dhe ne familja ju falënderojmë për kujdesin e mbështetjen tuaj, për mesazhet dhe telefonatat tuaja. Ne kemi kaluar natën pa dhimbje dhe jemi zgjuar me disponim të mirë. Shëndet e gjithë të mirat për të gjithë e në veçanti për fëmijët”, ka shkruar ajo në Facebook./Gazeta Sinjali/